Këtë herë në kampionatin shqiptar, skuadrat do të zbresin në fushë në mesjavë. Superiorja do luhet e gjitha ditën e mërkurë, ndërkohë që orari ka pësuar edhe një ndryshim duke bërë që katër ndeshje të luhen në orën 17:00 dhe një në orën 14:00. Kështu, sfida e cila do të nisë ditën do jetë ajo mes Laçit dhe Bylisit.

Një ndeshje e cila njihet për rivalitetin e saj, ndërkohë që ballshiotët janë ende në kërkim të fitores së parë për këtë vit. Nga ana tjetër, kurbinasit janë më të qetë duke qenë se kanë fituar dy ndeshjet e fundit në kampionat. Ndërkohë, në orën 17:00, kryesuesit e Tiranës udhëtojnë në transfertën e Vlorës, ku përballen me Flamurtarin. Kuqezinjtë duken të pafuqishëm, të paktën në letër, megjithatë edhe prej mungesave të Torasës e Kales, bardheblutë janë të paralajmëruar për t’u treguar të kujdesshëm, teksa në fazën e parë lanë dy pikë ndaj Flamurtarit.

Sakaq, Kukësi tashmë pa Duron dhe me Orges Shehin në drejtim, kërkon të kthehet te suksesi që mungon prej tre ndeshjesh. Përballë tyre do jetë Vllaznia, e cila tashmë pas humbjes me Skënderbeun rrezikon zonën e play out dhe ka nevojë urgjente për pikë. Ndërkaq, Partizani pret Teutën. Të kuqtë vijnë pas turpërimit në derbi dhe i duhet të reagojnë për të mos rënduar edhe më shumë situatën në shtëpinë e tyre.

Ndeshja me durrsakët është edhe një duel direkt mes dy skuadrave që pretendojnë Kupat e Europës. Sakaq, po në 17:00, Skënderbeu pret në shtëpi Luftëtarin dhe ndaj gjirokastriteve, të besuarit e Ilir Dajës kanë të gjitha mundësitë për vazhduar ecurinë pozitive në këtë vit./vipsport.al

Ndeshjet:

14:00 Laçi-Bylis

17:00 Partizani-Teuta

17:00 Kukësi-Vllaznia

17:00 Flamurtari-Tirana

17:00 Skënderbeu-Luftëtari

The post Zyrtarizohet java e 25-të e Superiores, ja kur luhen të gjitha sfidat appeared first on Sport.