Borussia Dortmund fitoi garën e madhe për Erling Haaland dhe ia doli të transferonte bomberin norvegjez në “Signal Iduna Park”. 19-vjeçari është përshtatur për mrekulli me ekipin e ri dhe i kanë mjaftuar 136 minuta aktivizim për të shënuar 7 gola në kampionat!

Mbrëmjen e kaluar shënoi golin e parë në Kupën e Gjermanisë dhe mjaftuan 21 minuta për të dërguar topin në rrjetë. Drejtori sportiv i verdhezinjve, Michael Zorc rrëfen për Bild vështirësitë e mëdha për të mbyllur marrëveshjen me yllin e ri të repartit ofensiv.

“Ka qenë një nga tratativat më të vështira që kemi kryer. Nuk është sekret që edhe klube të tjera të mëdha bënë sforco të mëdha për të siguruar Haaland, por ne i afruam paketën më të mirë të mundshme për t’u rritur si futbollist.

Punuam edhe gjatë Krishtlindjeve për të arritur te firma e sulmuesit. Më kujtohet që në orën 4 të pasdites po flisja në telefon me Mino Raiolën, agjentin e lojtarit. Kur arrin të bindësh një futbollist të klasit të Haaland lumturohesh si fëmijë. Morëm pikërisht atë që na mungonte“, deklaron Zorc.

The post Zbulohet prapaskena/ Ja si e bindi Dortmundi Haaland gjatë Krishtlindjeve appeared first on Sport.