Armando Sadiku ka vendosur të bëhet udhëheqësi i Malagës në këtë sezon të vështirë që po kalon skuadra. Sulmuesi ia doli edhe në mbrëmjen e djeshme të gjente rrugën e rrjetës, (goli numër 10) teksa barazoi shifrat nga pika e bardhë e penalltisë në momentin që të tijtë ishin në disavantazh ndaj Numancias.

Por, Malaga nuk ishte e kënaqur me barazimin në shtëpi, ndaj vazhdoi të shtynte për të gjetur golin e triumfit. Një gol i cili erdhi vetëm në minutën e 90, ku sërish protagonist u bë futbollisti i Kombëtares. Pas një harkimi në zonë, Sadiku provoi të godiste me kokë nga një kënd i vështirë por realizimi nuk i doli sipas parashikimeve, megjithatë elbasanasi shkaktoi aq rrëmujë në zonën e kundërshtarëve, sa sfera përfundoi në këmbët e Adrian i cili nga fare pranë portës nuk e pati të vështirë të tundte rrjetën.

Kështu, Malaga mori pikët e plota dhe merr frymë në klasifikim duke iu larguar disi zonës së ftohtë, ndërsa Sadiku është shndërruar në liderin e ekipit, ndërkohë që në këtë sfidë sërish Keidi Bare nuk ia doli të zbriste në fushë për shkak të një dëmtimi.

The post VIDEO/ Sadiku hero te Malaga, edhe goli i fitores mban firmën e shqiptarit appeared first on Sport.