Ndeshja e sotme e Malagas së Armando Sadikut dhe Keidi Bares ka qenë shumë e veçantë. Për herë të parë pas shumë vitesh, klubi nuk është më nën drejtimin e sheikut Al Thani, pasi një gjykatë administrative i ka hequr atij drejtimin për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve financiare ndaj klubit që tani ka kaluar nën administrimin e Zhoze Munjos, të emëruar si administrator për të evituar falimentimin e klubit.

Hapi i tij i parë ishte të shiste te Granada për 1,5 milionë euro sulmuesin Antonin për të shlyer borxhet, duke bërë që në ndeshjen e sotme ndaj Racing Santander ekipi të ishte përsëri me kontingjent të përgjysmuar. Por gjithsesi Malaga arriti të bënte diferencën në fushën e lojës dhe me Sadikun në rolin e njeriut-asist, gjeti golin e avantazhit me anë të Tete në minutën e 29. Pak minuta më vonë erdhi edhe goli i Lomban i cili përfitoi nga vëmendja që mbrojtja kundërshtare po i jepte Sadikut, për t’u shfaqur i vetëm para portës e dyfishuar shifrat pas një goditje dënimi.

Në pjesën e dytë, në fushë kishte vend disa minuta edhe për Keidi Baren, i kthyer më në fund pas dëmtimit të gjatë që e la thuajse dy muaj jashtë katërkëndorit të blertë, ndërsa Malaga ia doli që të ruante rezultatin duke marrë një fitore shumë të rëndësishme. Me këto tre pikë, ekipi është vetëm 3 larg Elçe që mban vendin e 6 të zonës play-off për ngjitjen në La Liga. Me 3 fitore radhazi dhe me ndryshimin në struktura drejtuese të klubit, duket se te Malaga kanë filluar të ëndërrojnë përsëri për kthimin në elitë.

The post VIDEO/ Sadiku dhe Bare dhurojnë spektakël te Malaga, bomberi “arkitekt” i triumfit të sotëm appeared first on Sport.