Myrto Uzuni ka rigjetur formën e tij më të mirë në momentin e duhur për skuadrën e Lokomotiv Zagreb. Sulmuesi shqiptar është bërë protagonisti kryesor i skuadrës së tij që nga fillimi i muajit shkurt dhe sot ka tundur përsëri rrjetën në kampionat, në përballjen e fituar 3-0 ndaj Slaven Belupo.

Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare hapi serinë e golave në minutën e 59 të ndeshjes që ekipi i tij më pas e dominoi lehtësisht duke pasur në fushë edhe shqiptarët e tjerë: Mersinaj, Çokaj, Tuci e Kastrati. Kjo fitore i mundësoi Lokomotiv Zagreb që të përforconte vendin e katërt në renditjen e kampionatit, i cili siguron pjesëmarrjen në Ligën e Europës në edicionin e ardhshëm.

Për Uzunin ky është një moment i shkëlqyer që po kalon pas disa luhatjeve në pjesën e parë të edicionit. Me 4 gola në 4 ndeshjet e fundit, ai ka arritur të barazojë rekordin e tij personal të edicionit të parë me Lokomotiv Zagreb, pasi arriti kuotën e 7 golave në kampionat, aq sa kishte shënuar edhe sezonin e mëparshëm. Me këto ritme, qartësisht që ky rekord do të thyhet shumë shpejt, ndërsa ai duket gjithnjë e më shumë si një element që mund t’i bëjë shumë punë trajnerit Reja që në ndeshjet miqësore të marsit.

 

The post VIDEO/ 4 gola në 4 ndeshjet e fundit në kampionat, Uzuni vrastar brenda zonës. Shikoni realizimin e shqiptarit appeared first on Sport.