Kristian Panuçi nuk arriti të kishte sukses me Kombëtaren teksa dështimi i tij më i madh ishin ndeshjet e Ligës së Kombeve ku në një grup me Skocinë dhe Izraelin, kuqezinjtë e drejtuar nga italiani e mbyllën në vendin e fundit. Ndërkaq, pas kësaj, aventura e ish-futbollistit të Romës me Shqipërinë pësoi një krisje për të përfunduar pas ndeshjes së parë eliminatore për Euro 2020 ku kuqezinjtë u mposhtën në shtëpi nga Turqia.

Së fundmi, nga Italia, Panuçi është rikthyer të flasë për Kombëtaren, ndërsa ka theksuar se të pranonte stolin e kuqezinjve pas suksesit në 2016, ishte një gjysmë vetëvrasje. Sakaq, trajneri 46-vjeçar në intervistë përmendi edhe presidentin Duka, i cili e ka kritikuar hapur pas shkarkimit në lidhje me paratë e pretenduara nga kontrata.

“Kur unë e mora Shqipërinë, skuadra ishte në vendin e katërt të kualifikueseve për Botërorin 2018. Në fund arritëm të tretët. Shqipëria është një vend shumë i komplikuar. Nëse pas 2016 ishte një pankinë e vështirë në Europë, ishte ajo e Shqipërisë. Vinte nga Europiani ku merrte pjesë për herë të parë, të pranoja ta trajnoja ishte një gjysmë vetëvrasje sepse vështirë se mund të arrija ta kualifikoja.

Në kualifikueset për Europian ishin në vazon e katërt, të përfundonim të tretët do ishte arritje, ta përfundonim në vendin e dytë do ishte një mrekulli. Por, kam qenë i lumtur, ishte një eksperiencë fantastike. Kisha një raport të shkëlqyer me djemtë. Presidenti i Federatës ka lëshuar disa deklarata të shëmtuara ndaj meje, por kur isha unë presidenti nuk më ka ndërhyrë. Më ka lënë të punoja”, u shpreh Panuçi.

The post “Vend i komplikuar”, shpërthen Panuçi: Të pranoje Shqipërinë ishte gjysëm vetëvrasje appeared first on Sport.