Kristi Vangjeli ishte pjesë e emisionit “Pressing” në ABC News mbrëmjen e djeshme. Mbrojtësi korçar i Tiranës foli për shumë çështje, duke nisur nga ndeshja derbi me Partizanin. Ai pranon se kundërshtari i vuri në vështirësi, edhe pse fituan me rezultatin e thellë 5-1. Në lidhje me gjykimin, Vangjeli thekson se ishte i drejtë.

“Na vuri në vështirë në fillim Partizani dhe ishim përgatitur. Fazën e parë ishim ne poshtë, ata lart. E prisnin atë eufori në fillim. Donin ta kthenin në epërsi avantazhin që kishim ne në renditje. Gabimet e tyre erdhën prej presionit që bëmë ne. Nuk besoj se gjyqtari ka ndikuar. Në një derbi nuk priten kaq shumë gola, por ata ishin me një lojtar më pak. Arbitri gjykoi mirë, mori vendime të drejta”, tha fillimisht Vangjeli.

Më pas ai foli edhe për autogolin që realizoi Hektor Idrizaj: “Më vjen keq që Idrizaj shënoi autogol, është miku im. Terreni është shumë i vështirë aty, është një pjesë e mallkuar e stadiumit në atë zonë”. Më tej ai tregon se te Tirana president Refik Halili u ka vendosur premio për çdo ndeshje dhe shpreson që deri në fund të mund të marrin të tjera para prej tij me rezultatet pozitive.

“Ekipi nuk ka eufori, jemi më këmbë në tokë. Presidenti na ka mbështetur, edhe me premio. Kemi pasur çdo ndeshje dhe ia kemi marrë dhe do vazhdojë. Shpresoj t’ia marrin deri në fund”, thotë me shaka korçari, të cili i kërkohet edhe një mendim se cili presidenti i pëlqen më shumë, Refik Halili, apo Ardjan Takaj i Skënderbeut të qytetit të tij.

“Presidenti i Skënderbeut është më i qetë. Ka treguar se di të menaxhojë situata, pasi ka fituar tituj dhe ka luajtur në Europë. Ai ishte më dorështrënguar, edhe prej ekipit të mirë që kishim. Halili është dorëlëshuar më shumë dhe kjo më pëlqen më shumë”, shton Vangjeli, i cili më tej flet për Partizanin dhe shanset që ka për Europën, si dhe për ndeshjet në vazhdim.

“Partizani ka ekip për të arritur Europen. Ka edhe 12 ndeshje për t’u luajtur. Çdo ekip mund të të mundë. Diferenca me Kukësin? Janë pak katër pikë diferencë. Transferta me Luftëtarin është e vështirë. Kukësi la dy pikë atje, askush nuk e mendonte. Edhe me Vlorën është ndeshje e rëndësishme dhe duhet përqendrim. Duhet vlerësim për ekipe si Flamurtari e Luftëtari, pasi po e respektojnë garën dhe luajnë futboll të mirë”, përfundoi Vangjeli

The post Takaj apo Halili? Kristi Vangjeli i surprizon të gjithë me zgjedhjen appeared first on Sport.