Tre ditët e ardhshme do të jenë ato që do të vendosin fatin e vlonjatit Dejvi Bregu, nëse do të mbetet pjesë e klubit korçar, apo nëse do të vijojë karrierën e tij në Rusi, ashtu siç i është premtuar.

Nuk është më sekret që Skënderbeu po përpiqet me çdo kusht që të shesë futbollistin në këto ditë, pasi përndryshe marrëveshja e tij me korçarët mbyllet në verë dhe klubi praktikisht nuk do të përfitonte më ekonomikisht nga ai. Megjithatë, opsionet që kanë mbetur janë të pakta dhe vendi tek i cili kanë shpresë se mund të finalizojnë një marrëveshje, Rusia, mbyll merkaton e saj më datë 21 shkurt.

Me pak fjalë, brenda ditës së premte, Skënderbeu duhet të ketë zgjidhur situatën e lojtarit i cili ua ka lanë gjithçka në dorë drejtuesve të klubit korçar, duke besuar se do të veprojnë me të ashtu siç kanë ditur të bëjnë me shumë futbollistë të tjerë që kanë kaluar në kampionatet europiane nga ky ekip. Nëse dritarja e Rusisë mbyllet, atëherë opsionet e mundshme për të do të mbeteshin nga kampionet e Republikës Çeke, Ukrainës apo Polonisë, por vetëm nëse arrihet të sigurohet ndonjë nga ekipet e mëdha në këto vende.

The post Skënderbeu vendos brenda 3 ditësh të ardhmen e Dejvi Bregut appeared first on Sport.