Tirana ka arritur të marrë një fitore të thellë, që në pamje të parë të bën të mendosh se nuk ka nevojë për diskutime, por nuk mendojnë kështu tifozët e Partizanit, madje as Erion Braçe. Zëvendës kryeministri i Shqipërisë tashmë dihet që është tifozi më i flaktë i kampionëve të vendit dhe i mbështet ata në çdo stadium. Braçe ka shumë rezerva për ndeshjen e mbrëmshme, që mendon se është vetëm gota, që mbushi kupën.

Ai arsyeton se ka një dorë kundër Partizanit dhe fillon që nga analistët në emisione, komentatorët në ndeshje dhe në fund përmbyllet te arbitrat dhe presidenti i Federatës Shqiptare të futbollit. Këto pretendime të tij, Braçe i ka shpalosur nëpërmjet rrjeteve sociale, ku bën edhe një renditje të klubeve më të favorizuara.

“Partizan, ky përballë teje është sistem kriminal. Pas basteve, më i poshtri. Heshta pas ndeshjes me Bylisin, doja të plotësoja gjithë vëzhgimin tim, nisur nga java parë e fazës së tretë. Çdo ndeshje kyç në garën për titull është vendosur nga sistemi, me dorë dhe arbitra. Kurrë në fushë.

Presidenti i FSHF tha:

Një ekip i mirë të rreh me gjithë arbitra (referuar gabimeve të tyre). Kjo është alibia që nis në FSHF e legjitimohet në platformën televizive, ku presidenti i përjetshëm është njëri nga pronaret e ku, moderatori është një nga ata, i njëanshëm, analisti është po një nga ata, i njëanshëm, komentatori është një nga ata-këshilltar, i njëanshëm. Pra një tallje e madhe në fushë me lojtarët, në stadium me pagesë me tifozët, në televizion me pagesë me çdokënd që ka pasion futbollin.

Bylisi është një ekip shumë i mirë dhe fitorja me të bën diferencën, por Tirana e mundi me dy gola me dore. Teuta me një penallti te padhënë, Skënderbeu e barazoi me një penallti te paqene. Partizani s’e mundi dot prej një goli te paqene e një goli fare te rregullt.

Të gjitha rastet vendosen kriminalist nga arbitrat. Ky kampionat ka dy renditje. Njëra kjo e pikëve, tjetra renditja e ekipeve qe favorizohen. Te paren e dini, tek kjo e dyta Tirana e Kukësi janë në krye, mundin gjithkënd me favore. Teuta mund gjithkënd me favore, por jo Tiranën e Kukësin, Skënderbeu vjen fill, por s’mund dot këto tre më sipër. Bylis nuk mund dot as Tiranën, Kukësin, Teutën, Skënderbeun, por Partizanin patjetër. Shihni ndeshjet e fazës së tretë dhe merrni një nga një gabimet e arbitrave dhe ju del kështu. Vendosin ata-sistemi, jo futbollistët. Sot i njëjti skenar. Partizanit nuk i jepet penallti neto, nuk i jepet një i kuq Tiranës kur për një rast të njëjtë në Durrës, Melo e Boldor u dënuan 5 ndeshje, i jepet penallti kundër e i kuq nga një simulim banal me prekje.

Këtu loja në fushë kthehet në tallje, ndeshja vendoset me dorë. Fiks arbitri që i dha 2 penallti të paqena Kukësit e u dënua 8 jave. Tirana, Kukësi e Teuta janë të parat në renditje e favoreve. Ky është sistemi kriminal. Nga stadiumi, arbitrat, në TV, në dorë të një njeriu. Halli i Kryeministrit? Tapeti i barit i vjedhur i stadiumit”, përfundon Braçe shkrimin e tij në rrjetet sociale.

The post “Sistem kriminal”, shpërthen keq Erion Braçe: Tirana e Kukësi janë në krye prej favoreve appeared first on Sport.