Florian Kamberit i mjaftuan katër minuta në ditën e djeshme për të gjetur golin e parë me fanellën e Rejnxhërs. Sulmuesi nuk ishte aktivizuar titullar nga trajneri Stiven Xherrard, mirëpo britaniku vendosi ta hidhte në fushë vetëm në minutën e 46 për t’i dhënë një pjesë loje në dispozicion. 24-vjeçari ia shpërbleu besimin Xherrard teksa realizoi një gol mjaft të bukur për t’iu dhënë barazimin momental të tijve që kishin pësuar në fillim nga skuadra e ST. Xhonston.

Ndërkohë, në minutën e 71, Kamberi mori sërish rolin e protagonistit teksa asistoi në golin e dytë të Rejnxhërs. Por, në fund performanca e futbollistit të Kombëtares nuk mjaftoi që ekipi i tij të fitonte, pasi pësuan golin e barazimit 10 minuta para se të mbyllej takimi. Kështu, pavarësisht performacës së shkëlqyer me një gol e një asist, Kamberi nuk mund të ishte plotësisht i lumtur. Pas ndeshjes, sulmuesi u shpreh se do jetë gati sa herë Xherrard ta thërrasë në apel dhe se synon gjithnjë ta bëj trajnerin të mendoj që t’i jap një shans atij.

“Planifikova ta festoja këtë ndeshje me golin dhe asistin tim, por fatkeqësisht nuk morëm tre pikët dhe nuk mund të jem i lumtur. Është frustuese jo vetëm për mua, por për të gjithë, edhe për fansat. Të gjithë ishim këtu për të fituar dhe jo për të barazuar. Jam i lumtur me performancën, por nuk mund të jem edhe aq i lumtur sepse nuk triumfuam. Plani është që skuadra të ruaj portën e paprekur, sepse nuk është e lehtë që të përmbysësh rezultatin.

Dhe, në fushën që luajtëm nuk ishte e lehtë. Unë mundohem çdo ditë t’i tregoj diçka trajnerit që ta vendos në mendime për të më aktivizuar. Por, e respektoj çdo vendim të tijin. Këtu bëhet fjalë për Rejnxhërs dhe jo për mua. Bëhet fjalë për të mirën e ekipit dhe unë do jem gati sa herë të kem shansin”, u shpreh Kamberi. Ndërkohë, në ndeshjen e kësaj jave të Ligës së Europës përballë Bragës, Kamberi pritet të nisë si titullar duke qenë se Xherrard nuk ka në dispozicion dy sulmues/vipsport.al

The post Shënoi eurogol me Rangersin, Kamberi tregon pse nuk festoi dot appeared first on Sport.