Partizani nuk arriti të administrojë avantazhin e dy golave ndeshjen e mbrëmshme kundër Bylisit, por u barazua nga skuadra e Dovedan, duke bërë një hap fals në një ndeshje që e kishin të gjithën në dorën e tyre dhe mund të merrnin tre pikët pa u sforcuar shumë. Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur sepse ballshiotët nuk janë dorëzuar dhe kanë treguar shpirtin luftarak, duke barazuar dizavantazhin e pjesës së parë.

Përveç këtij barazimi, që e largon nga dy kryesuesit, kampionët e vendit do të duhet të vuajnë edhe me disa mungesa para derbit të së premtes. Mbrëmjen e djeshme Lorenc Trashi ka dalë nga fusha në minutën e 31, pas një dëmtimi të pësuar dhe vendin e tij e ka zënë Hakaj. Nuk dihet akoma serioziteti i këtij dëmtimi, por derbi është të shtunën e ardhshme dhe nuk ka shumë kohë në dispozicion për t’u rikuperuar.

As gjendja e Telushit nuk është e mirë. Mesfushori ka pasur probleme fizike dhe mbrëmjen e djeshme i është dashur të luajë i sforcuar dhe po kështu pritet të veprojë edhe në ndeshjen kundër Tiranës. Boldor vazhdon prej kohësh të jetë i dëmtuar dhe pritet të mos jetë prezent as në derbi. Disa dhimbje koke për Sormanin, që për momentin i mbetet të shpresojë që Trashi të mos ketë dëmtim të rëndë, pasi mungesa e një lojtari si ai, ndikon shumë në një ndeshje të tillë.

The post Sa shumë telashe! Partizani i cunguar para derbit appeared first on Sport.