Reali i Madridit ka disa vite që mbështetet te të njëjtët yje dhe nuk ka zgjedhur ta përziejë ekipin, duke marrë të rinj për t’i integruar në ekipin e parë. U mundua ta bënte vitin e kaluar, por nuk ja arriti qëllimit dhe për këtë shkak u larguan dy trajnerë për të rikthyer në stol Zinedin Zidan.

Francezi ktheu përsëri në formacion emrat si Marcelo, Naço apo Bejl dhe largoi në huazim Regulion, Sebajos apo së fundmi Odriozola si dhe shiti Teo Hernandes. Megjithatë, në Madrid kanë nisur të mendojnë për të ardhmen, pasi garda e vjetër premton vetëm për të tashmen. Në ekipin e Realit janë shtatë lojtarë, që i kanë kaluar të tridhjetat dhe nuk premtojnë edhe për shumë kohë futboll cilësor.

Kështu, sipas prestigjiozes “AS”, fillimisht nis rikthimi i të huazuarve nëpër klube të tjera. I pari është Hakimi. Marokeni është në vitin e dytë dhe të fundit te Borusia dhe këtë verë do të kthehet në “Santiago Bernabeu”. 21-vjeçari ka mrekulluar te Dortmundi dhe pritet të integrohet menjëherë në formacion. Odegard gjithashtu ka bërë shumë mirë te Sociedadi dhe Reali po mendon ta sjellë në Madrid për ta bërë gati të jetë ylli i së ardhmes.

Regulion u huazua te Sevija në verë dhe shumë shpejt ka vërtetuar se Reali bëri gabim që e hoqi nga gjiri i ekipit. I fundit është Sebajos. Mesfushori shkoi te Arsenal për të marrë më shumë minuta se në Madrid, por është kthyer në rezervë. Real do i japë një shans të dytë sezonin e ardhshëm e më pas pritet një vendim final për të ardhmen e të riut.

The post Reali e ndjen se po plaket, merr masa parandaluese appeared first on Sport.