Kategoria Superiore nuk është aspak në gjendje normale për sa i takon aspektit të arbitrimit. Klubet janë ankuar vazhdimisht, ku theksojmë Bylisin dhe në stadiume kemi parë zyrtarë, që shohin ndeshjen në celularë në formën e një “mini VAR”. Federata Shqiptare e Futbollit ka zhvilluar ditën e sotme mbledhjen e zakonshme të arbitrave, ku është analizuar edhe situata aktuale.

Në mbledhje është diskutuar arbitrimi i ndeshjeve të fundit të Kategorisë Superiore, ku janë shtruar problematikat e javëve të fundit. Gjyqtarët kanë marrë kritika nga shefi i Sektorit të Arbitrimit, Sokol Jareci, i cili e konsideron gjendjen jonormalë dhe thekson se duhet të rritet më patjetër niveli i arbitrimit në elitën e futbollit shqiptar.

“Ky seminar përkon me një situatë jo të zakonshme në arbitrim, pasi në katër javët e para të gjysmës së dytë të sezonit gjyqtarët kanë gabuar në disa ndeshje dhe ne jemi këtu për të dalë nga kjo situatë jonormale. Jemi mbledhur për të parë gabimet dhe për të dëgjuar arbitrat se përse kanë gabuar në momente të ndryshme. Ne do të tregojmë rrugën e daljes nga kjo situatë dhe t’i japim arbitrave instrumentet e duhura për të dalë nga kjo situatë, që nga ndeshjet e nesërme në Kupën e Shqipërisë”, u shpreh Jareci.

Gjithashtu, FSHF njofton se arbitrat kanë marrë kritika edhe nga Shoqata e Arbitrave dhe drejtori i përgjithshëm i Federatës, që kanë kërkuar një angazhim më të madh për të bërë një gjykim sa më të drejtë.

The post Po gabojnë ç’do javë, FSHF iu “ndreq samarin” arbitrave të Superligës appeared first on Sport.