Ish-trajneri i Tiranës, Ardian Mema, i ftuar në studion e “Sport News Plus”:, ka bërë analizën e ndeshjeve të kësaj jave, duke u ndalur fillimisht te bardheblutë dhe fitorja e tyre me Kukësin. Ai e cilësoi të merituar këtë sukses, por ngulmoi se ekipi kishte treguar karakterin që duhej.

“Tirana kohët e fundit ka qenë një ekip që ka fituar shumë ndeshje dhe mund të pritej fitorja, edhe pse merret parasysh që Kukësi është ekip shumë i fortë. Është e lehtë të flasësh pas ndeshjes, por e vështirë të bësh parashikime para. Shikoja një ndeshje që do të ishte ndeshje episodesh, kush do të shfrytëzonte momentin apo gabimin e kundërshtarit mund ta fitonte ndeshjen.

Tirana e kërkoi më shumë, por nuk kishte forcën goditëse para portës, meqë i mungonte edhe Ngo. Por gjithsesi Tirana u tregua e durueshme dhe tregoi karakter sportiv të fortë, e kërkoi golin dhe rezultatin pas 90 minutash.

Unë jam një njeri i lindur e rritur te Tirana, aq më shumë më bëhet qejfi për Egbo me të cilin kemi luajtur e kemi ndarë të mirat e këqijat bashkë. Këtë gëzim e ndan edhe ai me mua. Tirana ka bërë një fazë fantastike, duke i fituar pothuajse të gjitha ndeshjet, e ka merituar se ka bërë një lojë shumë të mirë. Egbo ka bërë të tijat dhe në ndryshim me mua, ekipi ka më shumë ekuilibër, unë kam qenë më shumë agresiv në sulm. Egbo është më i ekuilibruar dhe e bën mirë, mendon për rezultatin, jo se nuk e kam menduar unë. Futbolli është edhe fat, shumë ndeshje Tirana i ka fituar në minutat e fundit duke e nisur nga Partizani. Por po ta marrësh në dinamikë, loja e Tiranës ka qenë shumë e mirë e premton për të ardhmen dhe këtu e shoh Tiranën në vazhdimësi drejt titullit. Por është akoma herët të flitet, se ka ndjekës shumë të fortë. Tirana tani duhet të ruajë kreun e ndjehet në presion nga ndjekësit.

Të ruash kreun është e vështirë në Shqipëri se vuajnë nga aleancat, Tirana të mendojë vetëm veten e vet, të mos mendojë për 2-3 ndeshje por vetëm atë të radhës. Ka ndeshje të fortë me Partizanin, por ana piskologjike te ekipi është e shkëlqyer, nuk e di se si mund ta gjente derbin më mirë. Unë them që Tirana të mendojë të mos humbasë, të mbajë larg Partizanin”, tha Mema.

The post “Në ndeshjet e fundit të Superligës bëhen aleanca”, Ard Mema e thotë troç appeared first on Sport.