Italian ende nuk po sheh dritë në fund të tunelit, teksa numri i të prekurve nga Covid-19 vijon të mbetet i lartë, ashtu si edhe viktimat që po shkaktohen nga ky virus vdekjeprurës. Një situatë e tillë ka sjellë kaos në jetën sociale dhe në botën e sportit, ndërsa këta të fundit po mundohen të gjejnë një mënyrë për të shpëtuar sezonin. Humbjet financiare pritet të jenë të mëdha dhe për këtë arsye klubet e futbollit dëshirojnë ta çojnë deri në fund kampionatin e lënë përgjysmë.

Në të njëjtin mendim ka qenë edhe Igli Tare, i cili me deklaratën e tij të dhënë për “Sport 1” ka ndezur edhe debate në Itali. “Jo, sezoni duhet të mbarojë. Nga respekti për të vdekurit dhe tifozët. Koha nuk është pjekur për të vendosur nëse do të anuloni. Numri i të infektuarve po bëhet pak më pak. Abortimi i sezonit do të ishte i padrejtë”, janë fjalët që ka thënë drejtori sportiv i Lazios në lidhje me këtë çështje. Por “Malpensa24.it” e sheh shokuese se si mund të luhet në respekt të viktimave, teksa Italia tashmë po vuan shumë në këtë luftë të vështirë me Koronavirusin.

E megjithëse në pamje të parë mund te duket kontroverse, ndoshta fjalët e Igli Tares duhen parë në një tjetër këndvështrim. Kjo pasi futbolli mund të shërbejë si një mënyrë për të kapërcyer më lehtë këtë situatë të vështirë, ndërsa fjalët e tij vijnë si një thirrje dhe dëshirë për të ardhur sa më shpejt te normaliteti, që aq shumë po u mungon të gjithëve. E pse jo të mos fillojë sërish jeta me sportin? Në fund të fundit të gjithë tifozët do të kishin një alternativë për të ndrydhur trishtimin e tanishëm e për të shijuar momente gëzimi sërish.

The post Në Itali nuk e kuptojnë si luhet futbolli për nder të viktimave, ja çfarë shkruajnë për deklaratën e Tares appeared first on Sport.