Situata te klubi i Erzenit është shumë e nxehtë, me trajnerin Stavri Nica, i cili është dorëhequr vetëm pas një muaji nën drejtimin e skuadrës. Pas kësaj në një faqe mjaft të ndjekur në “Instagram”, që përcjell Superioren dhe Kategorinë e Parë disa lojtarë të Erzenit kanë komentuar në postimin, ku kjo faqe njoftonte dorëheqjen e 65-vjeçarit nga klubi shijakas. Veçanërisht Xhynejt Çutra shkruan me ironi rreth pensionimit të ish-trajnerit të tyre.

Pas kësaj ka qenë vetë trajneri, i cili është kthyer me akuza të forta, ku shprehet se Erzeni ka për qëllim të mbajë arrijë katër vendet e para e më pas të shesë ndeshje. Gjithashtu flet edhe për premtime të pa mbajtura të kryetarit të Bashkisë së Shijakut dhe shprehet se futbollistët stërviteshin shumë pak dhe i janë shprehur trajnerit se kishin vite pa u stërvitur në këtë mënyrë.

Një tjetër lojtar shijakas ka reaguar kundrejt ish-trajnerit të tij. Haxhi Kacmoli ka kontaktuar “VipSport” për të treguar të vërtetën e tij në lidhje me atë çka ka ndodhur brenda skuadrës. Ai shprehet se fajtori kryesor i tre humbjeve rresht është ish-trajneri sepse prishi harmoninë e grupit. Gjithashtu thekson me bindje se nuk kanë marrë asnjë direktivë nga lart për të lënë ndeshje.

“Ne ishim një grup më i mbledhur përpara se të vinte në drejtim Stavri. Ai nuk ishte një trajner, i cili punonte për ta mbajtur skuadrën bashkë, por e kundërta. Kishte një fjalor shumë ofendues dhe demoralizues. Kjo ndikonte direkt në psikologjinë tonë dhe nuk ishim në gjendje të futeshim në fushë të qetë. Ishte ai personi kryesor, që ndikoi në prishjen e grupit të Erzenit. Ne kurrë nuk kemi marrë urdhra nga lart për të lënë ndeshje. Në asnjë mënyrë nuk ka ndodhur kurrë kjo gjë dhe këto janë gënjeshtra të tij”, përfundoi Kacmoli.

The post “Na ofendonte në stërvitje”, futbollisti sulmon trajnerin Nica appeared first on Sport.