Marash Kumbulla është një nga zbulimet e Serie A, teksa me paraqitjet e tij tek Helas Verona, ka tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha europiane. Shumë media kanë filluar të shkruajnë për xhevahirin shqiptar, duke e vlerësuar atë në maksimum për atë që ka treguar deri në këtë fazë të sezonit.

Së fundmi ka qenë media “90min”, që i ka kushtuar një shkrim të veçantë mbrojtësit shqiptar. Në shkrimin e tyre për Kumbullën, e krahasojnë atë me legjendën e Milanit dhe atë të Italisë, Paolo Maldini, i cili për shumë futbollistë në kohët e sotme është një idhull. “90min” shkruan se shqiptari është një mbrojtës agresiv dhe e lexon shumë mirë lojën e kundërshtarit dhe shikon përpara për të nisur një kundërsulm, sapo e rrëmben topin.

Gjithashtu 20-vjeçarin e quajnë si një “mur” në mbrojtje, teksa thuhet se shumë ekipe kërkojnë shërbimet e tij. Tregoi një paraqitje të mirë me Juventusin, duke e ndalur Ronaldon. Për Kumbullën në shkrimin e medias së njohur, thuhet se është shumë i mirë edhe në lojën në ajër, duke shfaqur rrezik edhe në zonën e kundërshtarit, pas goditjeve nga këndi.

Nuk mund të mos flitej edhe për origjinën e mbrojtësit, që ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve. “Na falni italianë, por Kumbulla është shqiptar dhe krenar për këtë. I lindur në Itali, nga prindër shqiptarë, talenti kishte mundësinë të përfaqësonte Italinë ose Shqipërinë. Duke qenë se ai është krenar për origjinën e tij, Kumbulla zgjodhi Shqipërinë, me të cilët ka bërë edhe debutimin në ndeshjen me Moldavinë.”, shkruan “90 min”, për mbrojtësin shqiptar.

The post “Na falni italianë, por Kumbulla është shqiptar dhe krenar” appeared first on Sport.