Gentian Muça, zëvendëskapiteni i Tiranës, është i bindur se sfida me Kukësin do të jetë spektakolare. Në një prononcim për mediat, në “Skënder Halili”, mbrojtësi thotë se çdo takim është i vështirë, por sfida me Skënderbeun rezultoi e bezdisshme.

“Gjithçka është më se normale pas barazimit me Skënderbeun. Sigurisht, donim fitoren, por jo çdo herë që dëshirojmë mund të fitojmë, pasi kemi edhe kundërshtarët përballë. Jo vetëm Genti, por i gjithë reparti i mbrojtjes, në aspektin defensiv, skuadra është sjellë më mirë. Rezultati i fundit nuk do të thotë asgjë, pasi më parë kemi barazuar edhe me skuadra që tashmë e kanë prerë biletën për në Kategorinë e Parë. Ne e prisnim që një ditë do të ndaleshim dhe fakti që kjo erdhi pas 7 apo 8 fitoresh, do të thotë që nuk duhet përjetuar si dramë”, tha fillimisht Gentian Muça.

Nga ana tjetër, pas barazimit me Skënderbeun, shumë mendojnë se takimi me Kukësin është vendimtari, si për bardheblutë edhe për kundërshtarët. “Duhet të bëjmë si me Partizanin dhe më pas do t’ia dalim. Shpresa nuk vdes kurrë dhe shpresoj që të bëhemi të gjithë bashkë, që kjo gjë të realizohet. Mendoj se është shumë herët për të thënë vendimtare për fatet e sezonit, por kjo ndeshje do të jetë një test për të dyja skuadrat dhe ajo që do të dalë më mirë, do të jetë favorite kryesore për titullin. E përsëris, është herët për të thënë që kush fiton këtë ndeshje është kampion, por është ogur i mirë që kush fiton është pretendentja kryesore”, pohoi mbrojtësi i bardhebluve.

Gjithsesi, problemi për këtë ndeshje nuk është kundërshtari sesa rezultatet që Tirana ka arritur me Kukësin, këtë sezon, por edhe vitet e shkuara. “Në ‘Elbasan Arena’ kemi qenë ne dominuesit, ndërsa në ndeshjen tjetër kemi qenë në avantazh, por më pas patëm probleme me dy lojtarët kryesorë. Ekipi i Kukësit është mjaft i mirë dhe ne e respektojmë, por më tepër do të respektojmë veten tonë”, shtoi Muça. Ky i fundit ka disa fjalë edhe për tifozët e Tiranës, që pritet të mbushin sektorin e tyre në “Air Albania” ku do të luhet edhe sfida me kuksianët. “Sigurisht që do të ketë më shumë tifozë të Tiranës në shkallët e stadiumit dhe ky është një bonus për ne, pasi kemi gjithmonë përkrahjen në numër të madh të fansave bardheblu”, mbylli Gentian Muça.

Kujtojmë që ai është rikthyer më i fortë se kurrë. Mbrojtësi bardheblu dhe zëvendëskapiteni i skuadrës prej ndeshjes me Kukësin në fazën e dytë është një nga më të mirët për Tiranën. I rikthyer titullar pas më shumë se dy vitesh e gjysmë, Muça ka qenë titullar në tetë takimet e fundit. Lojtari humbi dy vite e gjysmë futboll për shkak të dëmtimit, ndërkohë që në karrierën e tij sportive ka luajtur me Dinamon, Vllazninë dhe Flamurtarin, por edhe me Kukësin në Kupat e Europës dy sezone radhazi.

The post Muça: Ja pse Tirana është më avantazhuar për të fituar ndaj Kukësit appeared first on Sport.