Teuta triumfoi me rezultatin 3-1, ndaj Vllaznisë, në ndeshjen e vlefshme për javën e 22-të të Kategorisë Superiore. Një fitore tepër e rëndësishme për skuadrën e trajnerit Edi Martini, i cili në prononcimin pas ndeshjes për mikrofonin e “Supersport”, u shpreh:

“Jam shumë i kënaqur, luanim kundër Vllaznisë, që ka bërë një futboll mjaft të mirë. Duke pasur parasysh që vinim pas gabimit ndaj Luftëtarit, kisthe presion te lojtarët. Shënimi i golit nga ana e Vllaznisë, aty u duk nervi, karakteri i ekipit, për këtë gjë i përgëzoj lojtarët.

Gomes është lojtar me cilësi të mira. Akoma nuk ka dalë në lojën e tij. Ka probleme tek topat 1-2. Ne do t’i vëmë në efiçencë të mirat e tij. Akoma nuk është shkrirë me ekipin.

Kemi pasur shumë ndeshje brenda, që shiheshin si të lehta në letër. Nuk ka shumë diferencë nga ndeshja brenda dhe jashtë. Nuk kemi tifozllëk të jashtëzakonshëm, që të ndihet faktori fushë. Gabimi që kemi bërë ka qenë ai ndaj Luftëtarit. Shpresoj mos t’i qajmë këto pikë që kemi lënë.

Kur njeh lojtarët dhe karakteristikat e tyre është më e lehtë. Vllaznia e kishte përgatitur mjaft mirë ndeshjen. Kishim një lloj ngërçi psikologjik. Ne duhet të punojmë shumë në fazën ofensive pavarësisht se shënuam 3 gola.

Më vjen keq që ka ndodhur ajo gjë me Suad Licin. Jam i shqetësuar sepse futbolli nuk duhet të përfshihet në këto gjëra. Mënyra se si është administruar Vllaznia është faji i bashkisë. Nuk janë rastësore këto gjëra që ndodhin në Shkodër”, u shpreh Martini.

The post Mposhti Vllazninë, trajneri Edi Martini i surprizon të gjithë me deklaratën pas ndeshjes appeared first on Sport.