Prej 23 shkurtit, Bajram Jashanica është zyrtarisht lojtar me të drejta të plota i Skënderbeut. Tashmë nuk ka më dyshime, pasi mbrojtësi është i gatshëm për të luajtur në të gjitha aktivitetet zyrtare ku marrin pjesë bardhekuqtë. Edhe pse kontrata iu shfuqizua pas pezullimit 2- vjeçar që mori prej UEFA-s dhe nuk kishte të drejtë as të stërvitej me ekipi, ai gjithnjë ka qenë pjesë e pandarë e klubit.

Sapo erdhi janari, në Korçë nxituan që ta blindonin. Presidenti i ofroi kontratë të re për 1.5 vite dhe lojtari nxitoi që ta firmosë. U bënë ditë që ai është vënë nën urdhrat e Ilir Dajës, por vetëm nga dje i jepet e drejta që të zbresë në fushë dhe të mbrojë ngjyrat e bardhekuqve. Vuajtja, lotët, dëshpërimi dhe pritja janë veçse një kujtim i largët për 29-vjeçarin. Ndoshta ishte e shkruar që Bajram Jashanica të kthehej pikërisht kështu, në momentin kur Skënderbeu kishte më shumë nevojë për të.

Skenderbeu goli

Në ndeshjen ndaj Vllaznisë, korçarët kanë humbur gjysmën e prapavijës, Eni Imami ka plotësuar numrin e kartonëve dhe Artim Pollozhani është i padisponueshëm për shkak të kartonit të kuq që mori ndaj Teutës. Pikërisht në këtë moment delikat, vjen në ndihmë kosovari. Ai do të jetë i gatshëm për stafin teknik në këtë transfertë. Me Vllazninë në “Loro Boriçi” pritet që trajneri në krah të Ditës të vendosë pikërisht Jashanicën në qendër të defensivës. E ku kishte rikthim më të ëmbël për Skënderbeun. Kolosi i mbrojtjes ka filluar të nxehë “motorin” për t’iu rikthyer futbollit të luajtur pas dy viteve mungesë.

The post Merr fund makthi, Jashanica në fushë ndaj Vllaznisë appeared first on Sport.