Lazio e ka seriozisht.

Skuadra e Simone Inzagh-it ka marrë një fitore të rëndësishme 1-0 në fushën e Parma-s. Tri pikë që i kanë dhënë mundësinë bardhekaltërve të parakalojnë Inter-in në renditje dhe të ngjiten në vendin e dytë, një pikë larg Juventus-it kryesues. Zikaltrit do të kenë mundësinë të kundërpërgjigjen në derbin e mbrëmjes së sotme kundër Milan-it.

Takimi i zhvilluar në Tardini është vendosur nga goli i shënuar nga Caicedo në minutën e 41-të të pjesës së parë. Sulmuesi i miqve ka përfituar nga një përplasje mes dy mbrojtësve të Parma-s në zonën e rreptësisë dhe ka ndëshkuar portierin Colombi me lehtësi.

Vendasit kanë shkuar shumë afër golit të barazimit në fillimin e pjesës së dytë, por Strakosha ka larguar rrezikun me një pritje të mrekullueshme.

The post Lazio e ka seriozisht/ Fiton ndaj Parmës dhe nuk i ndahet Juves appeared first on Sport.