Lacio e këtij sezoni është një ekip i jashtëzakonshëm dhe mund ta quajmë si një Leister i dytë, megjithëse që ta meritojë plotësisht këtë epitet, duhet të mbyllë sezonin duke ngritur trofeun e Serie A. Një ekip me shumë yje, ku mes të tjerëve spikat edhe Tomas Strakosha. Portieri i kryeqytetasve këtë sezon po kalon një formë të jashtëzakonshme dhe është një nga pikat e forta të trajnerit Simone Inzagi.

“La Gazzetta dello Sport” i ka kushtuar një shkrim të gjatë yllit të kombëtares sonë, që me fitoren e pastër 2-0 të ditës së djeshme kundër Bolonjës, Strakosha grumbulloi ndeshjen e nëntë pa pësuar gol në këtë sezon të kampionatit italian. Më mirë se ai përtej Adriatikut ka bërë vetëm Donaruma i Milanit.

Ndërkohë mbrojtja e Lacios është e dyta për sa i përket ndeshjeve në transfertë, ku në vendin e parë është Interi i Kontes. Një meritë e madhe edhe e Strakoshës, që me sigurinë dhe pritjet shpëtimtare të tij e ka vendosur veten mes më të mirëve të kontinentit mes katërkëndëshit. Nëse vazhdon kështu nuk do të ishte aspak çudi ta shihnim gardianin e kombëtares sonë në portën e një prej ekipeve gjigante të Europës.

The post Lacio në krye pas 20 vitesh, mediat italiane i thurin elozhe Strakoshës appeared first on Sport.