Ish-“bomberi” i Shqipërisë Erjon Bogdani analizoi 3 futbollistët premtues shqiptarë që aktivizohen me klube të huaja: Marash Kumbullën (Verona), Rei Manajn (Barcelona B) dhe Erald Laktin (në pronësi të Fiorentinës, i huzuar te Gubio).

Në një intervistë për median pranë Interit “FcInter1908”, golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares së Shqipërisë u shpreh për Kumbullën se “luan si një veteran” dhe “ka aftësinë të reagojë shpejt ndaj kundërshtarit”.

Për sa i përket Manajt, Bogdani u shpreh se disa sjellje jo të mira nuk e kanë ndihmuar të ecë në rrugën e duhur në karrierë. Kurse për Erald Laktin, ai shtoi se ka gjithçka për të dhënë në Serinë A dhe mund të përshtatet në të gjitha pozicionet e mesfushës.

“Marash Kumbulla – Nuk e prisja që ai të luante kaq mirë. Merita është e tij, tani është bërë lojtar i rëndësishëm për Serinë A. Pas disa paraqitjeve ka vlejtur shumë për ta parë. Është shumë i ri. Ka ende kohë për t’u rritur dhe të bëjë mirë në të ardhmen. Në gjykimin tim, është një golashënues i mirë dhe i zoti në ajër. Në disa miqësore me ekipin kombëtar ka shënuar disa gola. Ajo çfarë më ka habitur është se luan si veteran në Serinë A. Një futbollist që është i gjatë mund të duket sikur nuk është i shpejtë, por ai ka aftësinë ta ndjekë aksionin dhe të reagojë në kohën e duhur. Është diçka e drejtë që interesohen shumë klube për të.

Rei Manaj – Po flasim për një futbollist që ka shumë cilësi. Ka talent dhe ka bërë shumë mirë me ekipin kombëtar. Disa sjellje jo të mira nuk e kanë ndihmuar atë, por është ende i ri. Po përmirësohet. I ka munguar vazhdimësia. Ka ende kohë për t’u përmirësuar.

Erald Lakti – Është futbollist që mund të luajë shumë mirë në Serinë A. Është aktivizuar me të rinjtë e Fiorentinës, këtë vit është huazuar te Gubio. Mund të luajë të gjitha pozicionet në mesfushë. Ka gjithçka për të dhënë për Serinë A. Ka shumë lojtarë të tjerë të rinj që premtojnë, diferencën e bën gjithmona koka. Kalimi nga ekipi i të rinjve tek skuadra e parë është faza më e vështirë, aty shikohet se çfarë futbollisti do bëhesh”, përfundoi Erjon Bogdani.

The post “Kumbulla luan si veteran”, Bogdani: Manajn e kanë penguar disa probleme, Lakti ka gjithçka për të dhënë në Serinë A appeared first on Sport.