Kukësi dhe Tirana janë kaq të ndryshme, por këtë vit kanë një objektiv: duan titullin. Gara është e nxehtë dhe vetëm një pikë diferencë është dëshmia më e mirë. Dhe kur themi të kundërta, nuk i referohemi vetëm traditës, stilit të lojës, menaxhimit, por mënyrës si funksionojnë. Veriorët janë ekipi që kryeson duke luajtur gjatë gjithë kohës jashtë dhe me stadiume kryesisht bosh.

Bardheblutë, nga ana tjetër, kanë luksin që të kenë në krah shumë tifozë, e jo më kot janë klubi që në çdo ndeshje kanë mesatarisht 3500 të pranishëm. Megjithëse në krye të Kukësit është një president që nuk shquhet për durimin, Safet Gjici këtë vit i ka besuar vetëm Shpëtim Duros. Në anën tjetër Refik Halili, pas Ardian Memës dhe Julian Ahmatajt, ia dha “timonin” Emanuel Egbosë.

Rezultoi i treti i vërteti, pasi me të kanë zyrtarisht 10 ndeshje radhazi që nuk thyhen. Kukësi deri tani ka avantazhin e ndeshjeve direkte, sepse i ka fituar dy sfidat e para. Tirana ka ende mundësi të rikuperojë në këtë drejtim, në të kundërt mund t’i prishen llogaritë në finish. Verilindorët kanë në sulm Vasil Shkurtajn, që është kandidat potencial për “Këpucën e Artë”; ndërsa te Tirana Ngo është “kampion” i asisteve (9) dhe jo i golave (7). Presidenti Gjici e “motivon” skuadrën me kritika të vazhdueshme, madje shpesh edhe publike. Homologu i tij, Halili, shpërthen atëherë kur nuk e pret askush, siç ishte rasti i fundit pas barazimit me Skënderbeun

Duro preferon të mos u ndryshojë rolin lojtarëve, ndërsa Egbo eksperimenton vazhdimisht me mbrojtjen duke spostuar Vangjelin në qendër. Trajnerin e Kukësit nuk e mbajnë më nervat si dikur dhe pas ndeshjeve nuk druhet të bëjë polemika me këdo, ndërsa ai i Tiranës është në gjendje të flasë shumë pa thënë asgjë, madje pa bërë as polemika. Por kanë edhe të përbashkëta… Të dyja klubeve ka filluar t’u shijojë shumë “Air Albania”. Të dyja kanë raporte miqësore me FSHF-në dhe kanë bërë investime marramendëse për të ndërtuar skuadrat që kanë sot. Dhe e fundit, janë të dyja skuadra që kryesojnë kampionatin dhe pikën më të fortë e kanë sulmin. Ndaj, nuk do të ishte habi që sot në orën 18:00 të shohim një duel me gola, pasi në fund të fundit ky titull fitohet mbi të gjitha duke shënuar shumë…/Panorama Sport

The post Kukësi-Tirana, sulm total për titullin. Sot përballen ekipet që shënojnë më tepër appeared first on Sport.