Pasditen e së dielës ka pasur një mbledhje bordi, e cila ka zgjatur deri në mbrëmje ku kanë qenë kryesia e klubit dhe trajneri Vejlko Dovedan pas ndeshjes miqësore që kanë luajtur në Durrës me skuadrën serbe, Dinamo Vranje. Këtë mbledhje e paralajmëroi edhe trajneri i Bylisit pas ndeshjes me Skënderbeun, pasi situata është bërë komplekse, si dhe të diskutonte të ardhmen e tij.

Në mbledhje është diskutuar në lidhje me sfidat e fundit, por edhe për të ardhmen, ashtu si dhe çështjen e pankinës. Ka qenë vetë presidenti Besnik Kapllanaj, ai që ka kthyer qetësinë në skuadër, duke vijuar bashkëpunimin me Dovedan dhe konfirmimin e tij në pankinë.

Bylisi lufton në të dyja frontet, ndaj edhe ballshiotët presin me qetësi ndeshjet e radhës, duke filluar nga dy sfidat, me Laçin në Kupë në mesjavë, si dhe Kukësin në kampionat në fundjavë në “Adush Muça”. Ndaj, në Ballsh ka nisur puna, ku bashkë me ndihmësit e tij Arbri dhe Sino, trajneri Dovedan ka ndjekur seancën me bllok në dorë, duke mbajtur edhe shënime. Ballshiotët s’kanë bërë pushime dhe pas ndeshjes në Korçë.
Skuadra ka zbritur dje në kompleksin “Bylis” dhe të gjithë janë përqendruar kryesisht te sfida e Kupës me Laçin, që do ta luajë nesër në orën 13:30 në transfertë. Ballshiotët shkojnë në këtë sfidë me avantazhin e dy golave të ndeshjes së parë në Ballsh. Një sfidë delikate dhe e vështirë për skuadrën e Dovedanit, që të vetmen fitore deri më tani në ndeshjet zyrtare e ka në Kupën e Shqipërisë, pikërisht ndaj Laçit në Ballsh afro dy javë më parë.

Kupa ka tjetër strategji, por ballshiotët tashmë duan që të kalojnë turin. Mungesa e vetme e Bylisit do të jetë ajo e mbrojtësit Jurgen Goxha, që një javë më parë u ndëshkua nga Disiplina me 8 ndeshje pezullim pas sfidës me Vllazninë.

DUELET

Në tri ndeshjet që ballshiotët kanë zhvilluar këtë sezon me Laçin, dy në kampionat dhe një në Kupën e Shqipërisë, kanë marrë rezultate pozitive duke mos e njohur humbjen. Kanë barazuar në kampionat në Laç në fazën e parë me rezultatin 0-0, kanë fituar në Ballsh 1-0 në fazën e dytë. Ndërsa në Kupë, Bylisi fitoi 2-0 para dy javësh.

The post Kërcënoi me largim, Bylisi merr vendimin për të ardhmen e trajnerit Dovedan appeared first on Sport.