Ultrasit e Partizanit reaguan ashpër ndaj skuadrës dhe klubit pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë ditën e sotme me rezultatin total 4-3 nga Besëlidhja.

Duke e konsideruar të papranueshme skualifikimin nga ky kompeticion, “Ultras Guerrils” fajësojnë për këtë paraqitje të dobët dhe “maskaradë” lojtarët dhe drejtuesit e klubit.

Guerrilsat

Paraqitjen e sotme, tifogrupi i kampionëve të Shqipërisë e konsideron “tallje ndaj fanelës dhe sakrilegj”.

Megjithatë, ata premtojnë se do ta mbështesin skuadrën në sfidën e radhës në kampionat ditën e diel kundër Laçit.

Reagimi i “Ultras Guerrils” pas eliminimit të Partizanit nga Kupa e Shqipërisë:

E keni mbushur kupën ka kohë, sot vetëm sa derdhët pikën e fundit të një turpi që e keni nisur prej muajsh dhe po e vulosni me eliminimin nga Kupa e Shqipërisë, veprimtari që në çdo sezon e keni përdhosur pa mëshirë.

Ekipi kampion është shpërfytyruar dhe nuk janë të denjë për këtë emër. Përgjegjës ata në fushë, përgjegjës ata në tribunën qëndrore. Maskarada të njëpasnjëshme të cilat po ju përkthehen me stadiume bosh në çdo ndeshje.

Por tifozët e Partizanit i kanë dënuar gjithnjë paturpësitë dhe pafytyrësitë. Të tallesh me fanellën e shenjtë të Partizanit nuk është skandal, është sakrilegj!

Shihemi në Laç!

The post “Jeni përgjegjës për këtë maskaradë”, shpërthejnë ultrasit e Partizanit: Sot derdhët pikën e fundit appeared first on Sport.