Marselo Troisi vendosi të merrte përsipër drejtimin e Flamurtarit në muajin janar pavarësisht situatës së vështirë të klubit. Kujtojmë, se vlonjatët nuk patën mundësi të afronin futbollistë në merkato pasi ajo iu bllokua nga UEFA.

Kështu, tekniku brazilian nuk arriti të transferonte lojtarët e dëshiruar për të provuar mrekullinë me kuqezinjtë, të cilët janë në vend të fundit në kampionat pa marrë asnjë fitore në 21 javë kampionat dhe gjenden me një këmbë në Kategorinë e Parë. Sakaq, situata në klub mund të rëndohet edhe më shumë pasi nga Greqia duket se ka kërkesa për teknikun, Marselo Troisi.

Klubi i Panaçaikos në Ligën e Dytë ka mbetur pa trajner në krye dhe braziliani që drejton në Vlorë, është kthyer në objektivin numër një. Troisi ka provuar edhe më parë eksperienca në Greqi duke qenë në krye të Apollo Larisës, Herkules dhe Ialysos. Sipas zërave nga Greqia, trajneri ka një qasje pozitive drejt ofertës për të marrë drejtimin e Panaçaikos të cilën do të mundohet ta ngjisë drejt Superligës greke. Në ditët e ardhshme priten të reja.

The post I vjen oferta e papritur, Troisi drejt largimit nga Flamurtari appeared first on Sport.