Derbin dhe polemikat për të duhet t’i lëmë pas për disa orë, edhe pse do të jetë shumë e vështirë. Sot luhet sërish futboll në Superiore dhe prej orës 14:00 zbresin në fushë gjashtë ekipe. Dy skuadra janë të dënuara për të fituar sot.

Bylisi, që ende nuk e ka provuar shijen e fitores në kampionat për këtë vit, duhet të mposhtë Flamurtarin e vendit të fundit. Në fazën e parë i ka ndëshkuar vlonjatët me goleadë. Sot mjaftojnë tre pikët, ato janë më të rëndësishmet.

I dënuar të fitojë është edhe Laçi. Kurbinasit luajnë në transfertë me Luftëtarin. Fazën e parë në Gjirokastër kanë ngecur, por këtë herë duhet të marrin pikët e plota dhe të barazojnë me pikë Partizanin. Sigurisht Luftëtari nuk do të lëshojë aspak, edhe pse shpresat për të mbijetuar në Superiore janë të vogla.

Po në orën 14:00 luhet edhe një tjetër përballje interesante, e gjitha për t’u parë. Vllaznia-Skënderbeu i ka të tria rezultatet brenda. Korçarët po kalojnë një formë të mirë, ndërkohë që nuk duhet harruar se këtë sezon shkodranët i kanë fituar të dyja takimet kundër skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja.

Java e 24-t e Superiores mbyllet me një ndeshje shumë të rëndësishme. Teuta dhe Kukësi, që të dyja i kanë humbur takimet e javës së shkuar në kampionat, përballen mes tyre prej orës 17:00. Durrsakët duan fitoren për të qenë në zonën “euro”, kurse Kukësi për të mos lejuar Tiranën të shkëputet në krye. Motivimi është maksimal në të dyja kampet dhe pritet një ndeshje e luftuar.

The post Harrojeni derbin, ja 4 supersfidat që do të zhvillohen sot appeared first on Sport.