Presidenti i Luftëtarit, Bekim Halilaj, ka shpërthyer në akuza të forta në adresë të arbitrit Kridens Meta, por jo vetëm. Ai deklaron  për “Panorama Sport” pas ndeshjes me Laçin, se arbitrat shqiptarë janë të zhytur në korrupsion dhe njohin vetëm dy gjëra: drurin, ose lekun. Më tej, Halilaj i bën apel FSHF-së të ndryshojë urgjentisht formulën, sepse po zhduket nga harta e futbollit elitar Jugu i Shqipërisë. “I bëj thirrje FSHF-së të shohë se çfarë po ndodh me kampionatin.Biznesmeni-Bekim-Halilaj

Pjesa e Jugut të Shqipërisë po del nga harta e futbollit elitar, nëse larg qoftë dënohet edhe Skënderbeu. Merrini me radhë: Gjirokastra, Vlora, Fieri, Lushnja, Berati, Elbasani, Kavaja, Pogradeci, Korça… të gjithë jashtë. E kush po mbetet kështu? Për kë po e bëjnë kampionatin këta? Iku futbolli, shkoi në mal, po luajnë vetëm ata që kanë lekë dhe kush u jep dru arbitrave…”, thotë Halilaj për gazetën.

Halilaj, pse kaq shumë i revoltuar pas ndeshjes?

Është turp i madh për atë çka ka bërë sot (dje) arbitri në Gjirokastër. Jo vetëm për atë, por për shumë raste të tjera. Na mbyti me faulle, more, na mbyti… Që në pjesën e parë i çova Sokol Jarecit mesazh dhe e njoftova: “A e kupton çfarë po bën ky?”. Po ju them një detaj: Laçi kishte tre lojtarë me kartonë të verdhë që rrezikonin shumë. Ata bënin faulle, gjyqtari nuk u jepte të verdhë, sepse ata humbnin ndeshjen e radhës me Bylisin. Ore, këtu është tmerr po ju them, është shitur çdo gjë. Ne kemi gjyqtarë që kanë frikë nga dy gjëra: drurin, ose marifete. E dija që do vinte Meta që një natë para…

Kush ju njoftoi për Kridens Metën?

E mora vesh që mbrëmë (të premten) dhe sapo mora vesh që do të ishte Kridens Meta gjyqtar, i kam shkruar Sokol Jarecit: “Në asnjë mënyrë të mos vijë ky. Ky është punëtor i këtij klubi që bëhet fjalë (nënkupton Laçin). Duhet patjetër ta ndryshosh,– i thashë,- nuk mundet të jetë ky”.

Po çfarë ndodhi pastaj?

Jareci më tha që dilte ai garant se gjithçka do të shkonte mirë dhe se do të kishte drejtësi. Por nuk ndodhi kështu. E pa e gjithë Shqipëria që dha një penallti skandaloze… Tani, ku është drejtësia këtu, pa më thoni?! U bënë 12 penallti kundër nesh, prej të cilave 7 nuk kanë qenë. Ore, çfarë ndodh kështu? A janë në vete apo jo? Ne shkatërrohemi duke investuar dhe duke u përpjekur të mbajmë gjallë këto klube, kurse ky arbitër vjen dhe bën kështu gjërash. Le t’u bëjnë veting gjyqtarëve. Të mos dënohen vetëm me pezullim ndeshjesh, por të marrin edhe gjoba financiare. T’u djegin më shumë gabimet që bëjnë. Kështu nuk vazhdohet.

The post “Gjyqtarë të shitur, njohin vetëm drurin dhe lekun”, shpërthen presidenti i Luftëtarit appeared first on Sport.