Kukësit i iku fitorja nga duart këtë të premte. Edhe pse ishte në avantazh për 86 minuta, Tirana e përmbysi me dy gola të shpejtë dhe i mori kreun e renditjes. Kjo disfatë u hoqi edhe të drejtën për të “mbushur xhepat” lojtarëve, pasi para ndeshjes presidenca kishte akorduar një shpërblim prej 25 milionë lekësh të vjetër. Gazeta zbulon se si rrallë herë për këtë sezon, Safet Gjci vendosi të takonte ekipin.

Pak para se ekipi të konsumonte drekën, ai shkoi për vizitë në restorant. Kreu i klubi u ul me lojtarët dhe pasi u foli për rëndësinë që kishte kjo përballje direkte me bardheblutë, u premtoi edhe premio në rast fitoreje dhe shkëputjeje. “Panorama Sport” arrin të zbardhë pjesërisht bisedën që presidenti zhvilloi me lojtarët:

“Si jeni? Si dukeni para ndeshjes? Besoj e dini rëndësinë e kësaj ndeshjeje, na duhet patjetër fitorja, është ndeshje shumë e rëndësishme për ne pasi ndeshemi me rivalin kryesor dhe me tri pikët shkëputemi. Keni 25 milionë lekë premio në rast fitoreje. Kushtet ua kam plotësuar të gjitha, nuk ka klub si ne dhe president si unë kaq korrekt. E dini ju mirë këtë. Ndaj ju kërkoj që të hyni dhe ta fitoni ndeshjen”, mësohet t’u ketë thënë kreu i klubit lojtarëve.

ULTIMATUMI I TRI FITOREVE – Kukësi e nisi jo mirë lojën, madje në 20 minutat e para u rrezikuan jo pak prej Tiranës. E megjithatë, e rimorën veten dhe mundën që ta shënonin atë gol që i dha avantazhin deri në të 86-ën. Kur menduan se fitoren e kishin të sigurt, u ndëshkuan me atë perlë nga goditja e dënimit të Bathës dhe më pas Torasa i përmbysi për dy minuta. Prognoza e kësaj ndeshjeje solli edhe shpërthimin e presidentit të Kukësit.

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport” pas asaj humbjeje ai vendosi edhe një ultimatum. Kërkon nga ekipi tri fitore radhazi, ndryshe nuk do falë askënd. Gjoba të tmerrshme i presin lojtarët dhe stafin, të paktën duke iu referuar vetë fjalëve të Safet Gjicit.

Por, cilat janë tri sfidat e verilindorëve, të cilat kreu i klubit i dëshiron me çdo kusht këto 9 pikë?

Në fund të muajit shkurt Kukësi do të udhëtojë në transfertë me Teutën, më pas në fillim të marsit do të presin në shtëpi Vllazninë e Shkodrës, takim që me shumë gjasa do të zhvillohet në “Elbasan Arena”. E në vijim do të përballen me Skënderbeun në Korçë, ekip që Kukësi nuk e ka mundur dot për këtë vit. Ndërkohë që verilindorët do të luajnë përballjet e veta, kalendari i favorizon paksa në letër. Rivalët do të përplasen me njëri-tjetrin e më pas do të kenë sfida të vështira më Laçin e Bylisin. Në këtë formë, drejtuesit, stafi dhe vetë lojtarët janë të bindur se situata do të kthehet në krahun e dytë dhe jo vetëm mund të rimarrin kreun, por edhe të shkëputen.

The post Gjici bën paralajmërimin e papritur për futbollistët e Kukësit appeared first on Sport.