Tirana ka arritur të kalojë me sukses dy ndeshje shumë të rëndësishme për garën e titullit. Bardheblutë mundën Partizanin dhe Kukësin e tashmë e shohin veten në misionin e vështirë të të ruajturit vendin e parë në renditje. Këtë të mërkurë skuadra e Egbo do të sfidojë Flamurtarin, në një ndeshje që ka po aq pikë sa dy të mëparshmet.

Flamurtari ka treguar herë pas here se është gati për të përfituar nga neglizhenca e ekipeve më me cilësi dhe Tirana e di mirë këtë, pasi në fazën e parë vlonjatët i morën një barazim kryesuesve të kampionatit. Kështu, Tirana do të duhet t’i vërë rëndësinë e duhur kësaj ndeshje.

Egbo do të ketë dhimbje koke në këtë sfidë, pasi mungojnë tre nga lojtarët më me përgjegjësi në skuadër. Elton Kale, Agustin Torasa dhe Kristi Vangjeli nuk do të jenë në dispozicion të stafit teknik. Braziliani ka plotësuar numrin e kartonëve, por edhe nëse do të ishte ndryshe nuk do të mund të luante në Vlorë për shkak të problemeve në shpatull, të shfaqura në derbin me Partizanin.

Agustin Torasa u ndëshkua me karton të kuq dhe automatikisht do të jetë i pezulluar për ndeshjen e ardhshme, ndërkohë që Kristi Vangjeli pati një konflikt tërësisht të evitueshëm me Telushin në ndeshjen me të kuqtë dhe u ndëshkua me karton të verdhë, duke plotësuar numrin 4 dhe automatikisht mungon ndaj Flamurtarit. Telashe për Egbo, që do vuajë shumë mungesat e dyshes së ofensivës, duke parë se ata janë lojtarët më krijues të ekipit.

The post Egbo me dhimbje koke, pa tre senatorë ndaj Flamurtarit appeared first on Sport.