Orges Shehi është prezantuar ditën e sotme si trajneri i ri i Kukësit. Ish-portieri rikthehet kështu në krye të një klubi pas eksperiencës me Skënderbeun në sezonin e kaluar. Tashmë, detyra e durrsakut është të nxjerrë kampion Kukësin, teksa merr ekipin e lënë nga Duro me katër pikë diferencë nga kreu që mbahet nga Tirana. Në prezantimin e tij, Shehi ka theksuar se e zgjodhi Kukësin për arsye se është një skuadër e madhe, ndërsa shprehet i bindur se mund të dalë kampion. Ndërkohë, Shehi thekson se do të marrë opinione edhe nga Shpëtim Duro.

Drejtimi i Kukësit- “Suksesi është i rëndësishëm për një trajner. E zgjodha Kukësin sepse është një skuadër e madhe. Është arritje personale. Me shtyu cilësia e klubit dhe lojtarit. Është e rëndësishme të kesh grupin. Kam qenë pa skuadër këto kohë, isha si analist në një studio dhe e kam ndjekur Kukësin”.

Presioni për të dalë kampion- “Normal ku ka pritshmëri, ka presion. Duhet të jetë pozitiv presioni. Unë jam i bindur që mund të dalë kampion. Ka diference kur i shikon gjërat nga jashtë. Nuk ka probleme të mëdha, por vetëm një ngërç psikologjik prej mënyrës se si i kanë lënë pikët në ndeshjet e fundit. Pasnesër kemi ndeshje, nuk ndryshoj dot shumë gjëra.

Do punoj në aspektin psikologjik. Duhet të kuptojnë lojtarët që janë më të mirët dhe këtë do ua them shpesh. Titulli është i arritshëm, duke parë grupin e lojtarëve. Nuk do i shohim kundërshtarët. Nëse në i fitojmë krejt ndeshjet dhe ata nuk ndalen, u japim dorën. Duhet të shohim përpara, Tirana është në vend të parë. Gjithsesi ne do të shohim vetëm ndeshjen e radhës. Që sot kam në dorë listën dhe çfarë kam parë të gjithë kanë luajtur. I meshoj asaj që kemi ngërç psikologjik dhe të heqin mendimin se ndëshkohen në fund”.

Komunikimi me ish-trajnerin Duro? “Kam marrëdhënie të afërt dhe kemi pasur komunikim. Nuk kam folur me të, ishte një lëvizje rrufe. Do i marr opinione, i kam marrë edhe më parë”. “Në një vend që kërkohet të fitohet, sigurisht nuk tolerohen humbjet. Të mendojnë pozitivisht, është dita ime e parë këtu. Plani im është të punoj me ata lojtarë dhe t’i quaj shokë e vëllezër.

Vetëm bashkë i kalojmë këto situata dhe të kthehemi te fitorja. Kam bërë një pakt me veten: do bëj maksimumin. Është për t’u përgëzuar që Gjici u beson te rinjve. Uroj të dal edhe unë i suksesshëm. Kam drejtuar lojtarë që kanë dalë shumë vite kampion”.

Rreziku nga shkarkimi- “Është prezent kudo, edhe kur dalin jashtë na rrezikon ndonjë makinë. Nuk u trembem sfidave dhe shpresoj ta kaloj”, u shpreh Shehi.

The post “Do marr opinione nga Duro”, Shehi befason me deklaratën gjatë prezantimit si trajner i Kukësit appeared first on Sport.