Nuk kanë fund telashet dhe problemet në skuadrën e Barcelonës. Jo vetëm në ekipin A, por edhe në atë B, problemi i dëmtimeve ka prekur në masë lojtarët e sulmit. 

Një lajm i keq për katalanasit, por një shans që shtohet çdo ditë e më shumë që Rei Manaj të ketë fatin të debutojë përkrah Lionel Mesit & Co. Dje, sulmuesi i skuadrës B, Hiroki Abe, është operuar për shkak të një dëmtimi në tendinë ashtu si Osman Dembele.

Në të njëjtën klinikë ku u operua edhe ky i fundit, lojtari i skuadrës B ka bërë ndërhyrjen e tij dhe do të duhet që të qëndrojë jashtë fushave për një kohë të gjatë.

Abe ishte një nga lojtarët që përflitej si një alternativë për Setienin në repartin e avancuar të Barcelonës A, por tashmë bie edhe kjo pistë. Fakti që në Barcelonën B kanë mbetur vetëm katër sulmues, mes tyre Manaj, bën që shqiptari të ketë gjithnjë e më shumë shanse dhe shpresë për të marrë minuta përkrah Mesit. Reparti i sulmit është ai që ka më shumë probleme dhe e ka të vështirë për të mbijetuar. Me dëmtimet e Suarezit dhe Dembelesë, Mesi dhe Grizman janë të vetëm përpara rrezikut.

Për fatin e mirë të Barcelonës, është duke shkëlqyer Ansu Fati dhe po udhëheq katalanasit në repartin e avancuar. Tani mbetet vetëm që Manaj të presë fatin për të qenë në pankinë me skuadrën A të katalanasve dhe pse jo, të jetë një prej zëvendësimeve të përzgjedhura nga Setien.

The post Dëmtohet një tjetër futbollist i Barcelonës, rriten shanset për Rey Manajn appeared first on Sport.