Magjistarja” serbe, fizioterapistja Marijana Kovaçeviç, ka pasur shumë vizita kohët e fundit nga futbolli shqiptar. Tek ajo pritet që ta gjejë shërimin edhe kapiteni i Teutës, Renato Arapi, pasi ka shfaqur probleme të vazhdueshme në kofshë. Mbrojtësi Arapi nuk ka mundur të stërvitet në javët e fundit dhe zgjidhja për të mos munguar në vazhdimësi mund të gjendet vetëm te Marijana.

Kapiteni pritet të vrapojë drejt Serbisë nesër në mëngjes me qëllimin e vetëm për t’u rikuperuar edhe ai në kohë rekord, siç ka ndodhur më parë me lojtarë të tjerë të Superiores si Hamdi Salih dhe Tefik Osmani. Fizioterapistja serbe është me famë dhe shërimin atje e kanë gjetur edhe shumë yje të futbollit botëror, mes tyre edhe Kristiano Ronaldo. Drejtuesit e klubit vendosën që Arapi të bëjë terapinë “magjike” në Serbi, që të jetë i gatshëm për ndeshjen e javës tjetër me Kukësin. Nuk dihet sa ditë do të qëndrojë në Serbi lojtari i Teutës, por ka shumë besim se pas kthimit do të jetë gati për trajnerin Martini.

The post Dëmtimi në kofshë, Arapi kërkon shpëtim te magjistarja serbe appeared first on Sport.