Partizani e kishte detyrim-përcaktim kualifikimin në Kupë ndaj Besëlidhjes dhe kjo lidhej me disa faktorë. Së pari, ekipi mund t’i jepte një shans vetes për të hequr gjobën e vendosur nga presidenti Demi pas humbjes në Lezhë, për të shtuar mundësitë për përfitime financiare të klubit nëse do të luanin derbin në Kupë, si dhe do të ishin edhe më të qetë në realizimin e objektivave.

Në këto pozita pritej që të mërkurën ndaj Besëlidhjes të kuqtë të mos kursenin asgjë duke luajtur gjithçka për gjithçka. Ishte menduar se Partizani do të luante me lojtarët më të mirë të mundshëm në këtë sfidë, por krejt papritur trajneri Adolfo Sormani ka çuditur me formacionin e përzgjedhur. Ndryshimet ishte të prekshme në çdo repart, ku luajtën lojtarë që jo shpesh kanë luajtur bashkë, siç ishte rasti i mesfushës me Telushin, Feratin dhe Koten. Ndonëse pretendonin kualifikimin, trajneri pati luksin që ta niste ndeshjen me disa titullarë në stol, si Trashi, Belica dhe Melo.

Ndërsa Bardhi dhe Broja nuk ishin përfshirë fare në ekip për këtë sfidë. Besimi i tepërt te dyshja sulmuese Solomon-Braun nuk dha rezultat, vetëm tregoi një garë se kush shpërdoron më shumë. Ndonëse është golashënuesi më i mirë i momentit, edhe Çinari po vuan këtë sezon, pasi po luan në një rol të ri. Formacioni i përzgjedhur të mërkurën, duke përfshirë disa titullarë me peshë, mund të jetë një nga shkaqet e mospërmbysjes ndaj Besëlidhjes.

The post Ç’po ndodh te Partizani? Sormani i çudit të githë me zgjedhjet e tij appeared first on Sport.