Profili në “Instagram” apo çdo rrjet social është shpesh treguesi kryesor për shumëçka nga jeta e secilit prej nesh. Po të futesh te llogaria e Etrit Berishës në “Instagram”, ka një oktapod. E pikërisht, si një i tillë mbase në fushë shqiptari është jo me dy, por shumë tentakula që i kanë mjaftuar për ta ngjitur në piedestal.

Etrit Berisha është portieri i tretë në Europë për numrin e pritjeve, teksa për Serinë A lë pas të gjithë kolegët e tij. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Etrit Berisha tregon karantinën në Itali, tentativat në kuzhinë gjatë këtyre ditëve, pritjen më speciale në Kombëtare apo edhe “bomberin” që s’e lexon dot gjatë stërvitjeve me kuqezinjtë si dhe sekretin e kësaj forme të jashtëzakonshme që po kalon.

Etrit, si jeni me shëndet dhe ku po e kaloni karantinën?
Jam në Ferrara. Falë Zotit, jam mirë me shëndet. Sigurisht duke qëndruar në shtëpi dhe po mundohem që ta kaloj sa më mirë këtë periudhë karantine.

Si është për ju të qëndroni kaq gjatë jashtë fushave?
Për një sportist kjo është diçka shumë e vështirë, pasi ne çdo ditë jemi mësuar që të bëjmë ushtrime, të vrapojmë dhe të jemi gjithmonë aktiv. Që në ditën e parë kur u ndalua gjithçka, ishte patjetër një ndryshim thelbësor në jetën e gjithsecilit, sidomos edhe për ne sportistët. Një ndryshim në jetën tonë dhe në trupin tonë. Gjithsesi, kam kaluar çdo ditë duke menduar se kohë më të mira do të vijnë dhe ne do të rikthehemi sa më shpejt në normalitet, në fushë.

Italia u gjunjëzua nga Koronavirusi, po në Ferrara si është situata?
Italia është me siguri një ndër vendet më të prekura nga virusi. Ferrara ndoshta është qyteti që është prekur më pak sesa të tjerët. Nisur nga kjo, mund të shihet si të thuash ndonjë lëvizje pak më e lirë nëpër rrugët e qytetit. Por fare pak.

Në shumë ekipe të Serisë A ka lojtarë të prekur, po SPAL-i?
Jo, nuk ka. Për fat të mirë, nuk ka pasur asnjë rast të raportuar nga ekipi.

Gjatë qëndrimit në shtëpi, shumë meshkuj apo edhe sportistë kanë provuar të gatuajnë. Po juve, si ju ka rezultuar kjo tentativë?

Mbase pas kësaj periudhe qëndrimi në shtëpi, shumë mund të zbulojnë edhe një karrierë të dytë pasi të lënë futbollin. Mund të ndodhë që për shumicën të jetë kuzhina si destinacion për pjesën e mbetur. Edhe unë e kam provuar, të them të drejtën, por nuk më ka shkuar aq mirë sa duhet ose sa kam pritur. Mendoj se i kam duart shumë të gjata ose shumë të mëdha që të bëhem kuzhinier (qesh…). Ndaj, do të duhet të provoj diçka tjetër.

I treti në Europë dhe i pari në Serinë A për numrin më të lartë të pritjeve. Çfarë nënkupton ky rekord për ju?
Ju them me siguri që vjen pas një pune të palodhshme dhe të përditshme në të cilën unë jap çdo herë atë maksimumin e mundësive të mia. Ndodh që kjo të më shpërblehet. Tani jam duke parë ndoshta edhe frytet e ushtrimeve që bëj. Kam fatin të kem edhe një trajner portierësh i cili është duke më ndihmuar shumë. Një kombinim i të gjithë faktorëve më ka bërë që të kem këtë rezultat pritjesh të tilla apo edhe paraqitjet që kam bërë. Në fakt, kjo ka rëndësi për mua, që të jem konstant dhe të kem një vlerësim të lartë në vazhdimësi.

Cili është lojtari më i palexueshëm për ju në momentin kur godet, referuar stërvitjeve me Kombëtaren?
Nëse e marrim këtë çështje edhe me shaka, është Hysaj (qesh..) E them, sepse kur ndodh të kemi stërvitje, kur trajneri u kërkon lojtarëve që të godasin portën, Hysaj nuk e di kurrë se ku do të godasë. Besoj që nuk e di as ai vetë (qesh…).

The post Berisha: Hysaj më i vështiri, si na ndryshoi jetën Koronavirusi appeared first on Sport.