Gjermania është shteti i parë në Europë ku pritet të rinisë futbolli, pas gjunjëzimit, për shkak të pandemisë globale të Koronavirusit. Ndërkohë së fundmi, mbrojtësi i Kombëtares, Mërgim Mavraj, ka dhënë një intervistë për “Top Channel”, ku ka folur për situatën aktuale. Veç të tjerash, Mavraj është ndalur te muaji i shenjtë i Ramazanit, si dhe te e ardhmja e tij pas largimit nga futbolli i luajtur. Në fund nuk mund të mungonte një koment për “ftohjen” në Kombëtare si dhe për mundësitë e pakta të rikthimit me fanellën kuqezi.

SITUATA AKTUALE – Po stërvitem më shumë se gjatë kampionatit sepse po na zhvillojnë shumë seanca stërvitore. Kemi mundësi që të dalim të vrapojmë jashtë, pasi në Gjermani lejohet apo kemi patur mundësi edhe të stërvitemi në fushën e blertë në grupe të vogla. Për dy javë jemi stërvitur në grupe me 4 lojtarë, por që prej 10 ditësh tani jemi një grup 12 lojtarësh që stërvitemi. Ne këtu jemi shumë pranë rikthimit të kampionatit”.

MUAJI I RAMAZANIT – “Ramazani është Ramazan. Për mua personalisht është një gjë mbi të gjitha. Tani Ramazani duket sikur ka ardhur në një periudhë shumë të përshtatshme për t’i larguar njerëzit nga frika e kësaj situate. Në disa xhamia këtu lejohet me u fal vetëm kryesia, që do me thëne lejohet me u fal rreth 6 vetë sa për me kryer obligimin fetar. Edhe unë me ndonjë shok të ngushtë, me ndonjë hoxhë të ngushtë, më është mundësua edhe mua ndonjëherë, jo gjithmonë, por ndonjëherë me u fal në xhami.

RIKTHIMI TE GREUTHER FYRTH – Arsyeja përse jam rikthyer në Fyrth është se kam një kontratë që pasi të mbyll karrierën këtu si futbollist të kaloj në menaxhim. E kam firmosur kontratën atëherë 3-vjeçare për futbollist dhe 7 vjeçare për pas futbollit.

K0MBËTARJA – Që nga ndeshja e fundit që luajtëm në Paris, kur u mundëm 4-1 nuk kam luajtur më. Edhe ajo ndeshje e fundit për mua mbahet mend me shumë gjëra negative, në lidhje me personin tim jo vetëm si pjesë e një skuadre që u mundëm. Normalisht që kombëtarja i mungon çdo lojtari që e ka shijuar ndonjëherë.

Por sa i përket të ardhmes e kam shumë të vështirë të komentoj, në 6 muajt e fundit kam patur shumë dëmtime dhe nuk pata mundësi që të vija në kombëtare, tani kam ardhur në një moshë që më duhet më shumë pushim për t’u rikuperuar. I kuptoj gjithashtu trajnerët që kanë dëshirë të fillojnë një cikël të ri për të afruar lojtarë të ri, sepse e ardhmja e kombëtares nuk është Mërgim Mavraj, por janë disa emra të tjerë dhe për këtë jam shumë realist për t’i kuptuar”, u shpreh Mavraj.

The post Befason Mavraj: Kam firmosur kontratë 7-vjeçare me ekipin gjerman appeared first on Sport.