Bayern Munich ka marrë një fitore bindëse 6-0 në fushën e Hoffenheim, në javën e 24-t të Bundesliga-s.

Gnabry (2′), Kimmich (7′), Zirkzee (15′), Coutinho (33′, 47′) dhe Goretzka (62′) kanë qenë autorët e golave të bavarezëve.

Bayern është bërë skuadra e parë në historinë e Bundesliga-s që ka shënuar të paktën 3 gola në 5 ndeshje radhazi të luajtura në transfertë.

Megjithatë, festa e bavarezëve është prishur në minutën e 78-të nga tifozët e tyre, të cilët kanë nxjerrë një banderolë fyese kundrejt pronarit të Hoffenheim, Dietmar Hopp.

“Dietmar Hopp mbetet një bir ku***”, shkruhej në banderolë.

Një gjest që ka çuar te ndërprerja e ndeshjes për disa minuta, me trajnerin dhe lojtarët e Bayern-it që kanë shkuar drejt tifozëve të tyre dhe u kanë kërkuar ta hiqnin banderolën.

Pas rifillimit të ndeshjes, lojtarët e dy skuadrave kanë filluar t’ia pasojnë topin njëri-tjetrit deri në momentin që ka ardhur vërshëllima e trefishtë e arbitrit.

Borussia Dortmund ka mundur 1-0 Freiburg, falë një goli të shënuar nga Jadon Sancho në minutën e 15-të. Talenti anglez ka shënuar në 7 ndeshje radhazi të luajtura në shtëpi në Bundesliga me verdhezinjtë.

Vetëm Pierre-Emerick Aubameyang ka pasut një ecuri më të mirë (11) me Dortmundin.

The post Bayerni luan tenis ndaj Hoffenheim, Dortmundit i mjafton një gol appeared first on Sport.