Gerard Pique beson se Barcelona humbi ndaj Real Madridit më të keq, me të cilin është përballur në kryeqytet, ndërsa të tijtë dolën të mposhtur 2-0 nga “El Clasico” e së dielës në mbrëmje. Golat e Vinicius Junior dhe Mariano Diaz siguruan tri pikë të çmuara për të bardhët, që kapin sërish kreun e La Liga-s.

Pique tha se ishte i shtangur nga niveli i ulët i Realit në pjesën e parë. Po ashtu, ishte zhgënjyer që nuk përfituan dot nga ky fakt: “Në pjesën e parë ishte Real Madridi më i dobët, me të cilin jam përballur në “Bernabeu”. Ne humbëm një shans për t’i ndëshkuar ata. Duhet të luajmë më mirë se në pjesën e dytë. Humbëm shumë topa dhe kjo i dha vetëbesim kundërshtarit. E përsëris, Reali më la përshtypjen më të keqe të mundshme në pjesën e parë dhe këtë nuk e them si kritikë.

Të gjithë kemi probleme në klubet tona, por mendoj se humbëm një mundësi të rëndësishme. Vështirë ta gjejmë më Real Madridin në këtë gjendje. Ende kemi hapësira përmirësimi. Mund ta fitojmë La Liga-n nëse i bëjmë si duhet gjërat deri në fund të sezonit. Kurdoherë që të humbësh në “Bernabeu”, do të lëndohesh. Kjo, për shkak të rëndësisë së lojës, pikëve… Nëse do të fitonim, ishte një hap i rëndësishëm”.

The post Barcelona pësoi dy gola në “El Clasico”, Pique i habit të gjithë me deklaratën e tij appeared first on Sport.